Shop

GJUHA SHQIPE 5
(LIBËR BAZË)

2.50

Teksti Gjuha Shqipe, 5, merr parasysh arritjet e derisotme të shkollës sonë në mësimin e gjuhës amtare, si edhe përvojat ndërkombëtare.
Në këtë tekst, në pajtim me kërkesat bashkëkohore të mësimit të gjuhëve amtare, si edhe me kërkesat e programit, gërshetohen për herë të parë, në një tekst të vetëm të klasës së pestë, njohuritë dhe shprehitë për leximin dhe formimin kulturor e estetik të nxënësve me njohuritë dhe shprehitë për sistemin gjuhësor. Teksti është i ri në formë dhe në përmbajtje.
Në pajtim me kërkesat e programit, mësimi i gjuhës shqipe në këtë tekst konceptohet si gërshetim i katër përbërësve kryesorë: të dëgjuarit, të folurit, të lexuarit dhe të shkruarit.
Teksti Gjuha Shqipe, 5, ka 30 mësime ose seanca mësimore. Çdo mësim ose seancë mësimore ka katër rubrika: Flasim, Lexojmë, Shkruajmë dhe Njohim gjuhën.
Rubrika e parë, Flasim, synon t’i aftësojë nxënësit të flasin për aspekte të jetës së përditshme, në pajtim me kërkesat e programit dhe të moshës së tyre. Për këtë qëllim ka kërkesa të posaçme e sistematike që i nxitin dhe i ushtrojnë fëmijët të flasin në situate të ndryshme, të tregojnë, të përshkruajnë, të analizojnë e vlerësojnë situate, që lidhen me jetën e përditshme, të japin mendime e të mbajnë qëndrime në përputhje me to. Përmes kërkesave të kësaj rubrike nxënësit do të ushtrohen të marrin pjesë në bashkëbisedim, t’u përgjigjen pyetjeve, të japin informacione dhe të komunikojnë në pajtim me kërkesat e moshës së tyre. Në këtë mënyrë nxënësit do të rritin shkallë-shkallë aftësitë për të paraqitur me gojë përvojat e tyre, si edhe botën e tyre të brendshme. Detyra e mësuesit në mësimet për zhvillimin e gjuhës së folur është të krijojë, në përputhje me kërkesat e tekstit, situata të përshtatshme bashkëbiseduese, të ndjekë bisedën e nxënësve dhe të ndihmojë, kur është e domosdoshme, për të saktësuar e qartësuar shprehje e koncepte të paqarta. Sa më shumë flet nxënësi, aq më shumë mëson të flaës, sa më pak flet mësuesi, aq më mirë për nxënësin. Mësuesi, pra, i nxit nxënësit të flasin por i mëson edhe të dëgjojnë. Nxënësit, nën drejtimin e mësuesit, mësojnë të shprehin mendimet e tyre me një gjuhë të thjeshtë e të saktë që vjen duke u pasuruar e ndërlikuar në përputhje me zhvillimin e tyre shpirtëror e mendor. Rëndësi të veçantë fiton puna me ata nxënës që ndodhen në mjedise familjare e shoqërore ku praktikohet një gjuhë e folur që nuk përputhet me normën e shqipes standarde. Vlerë të veçantë ka këtu fjala e mësuesit, e cila duhet të jetë e qartë, e saktë dhe në përputhje me normën. Vëmendje duhet t’i kushtohet gjithashtu punës për pasurimin e fjalorit të nxënësve, sidomos me fjalë të fondit të përgjithshëm ose të përbashkët, pra, me fjalë të jetës së përditshme.
Rubrika e dytë, Lexojmë, ka katër nënrubrika: I. Lexojmë, II. Kuptojmë, III. Analizojmë dhe IV. Thellohemi.
Nënrubrika I. Lexojmë, synon t’i aftësojë nxënësit të lexojnë tekste letrare dhe joletrare në pajtim me kërkesat e programit. Për këtë qëllim mësuesi duhet të parashikojë kërkesa sistematike që i nxitin dhe i ushtrojnë nxënësit të lexojnë bukur dhe me intonacionin e duhur tekstet e zgjedhura letrare dhe joletrare.
Tekstet e zgjedhura janë në pajtim me normën letrare, si edhe me kërkesat estetike e stilistike të gjinisë letrare të cilës i përkasin. Ato janë në të njëjtën kohë edhe modele të zgjedhura të gjuhës së shkruar letrare.
Përmes kërkesave të kësaj nënrubrike nxënësit do të ushtrohen jo vetëm t’i lexojnë si duhet tekstet letrare e joletrare të tipave të ndryshme, po edhe të parapërgatiten për t’i analizuar ato.
Detyra e mësuesit, në vijim të kësaj etape, është t’i orientojë nxënësit drejt problemeve konkrete që lidhen me kuptimin e përmbajtjes së teksteve që është edhe synimi kryesor i nënrubrikës së dytë II. Kuptojmë.
Kjo nënrubrikë është me rëndësi, sepse u jep mundësi nxënësve të ndalen dhe të analizojnë me vëmendje përmbajtjen e tekstit, po edhe për të vijuar e shkuar më tutje në analizën e tekstit. Nënrubrika Kuptojmë plotësohet e konkretizohet nga rubrika III. Analizojmë.
Përmes kërkesave të kësaj nënrubrike synohet që nxënësit të thellohen në kuptimin e tekstit të lexuar, si edhe të shkojnë më tutje në analizën e tij. Për këtë ka kërkesa që lidhen me përcaktimin e personazheve, vlerësimin e tyre dhe të veprimtarive të tyre kërkesa që lidhen me problem të raporteve të tyre, si edhe me kohën vendin e kryerjes së veprimeve të parashtruara. Ka gjithashtu kërkesa që lidhen me qëndrimin, gjykimin a vlerësimin e ngjarjeve dhe të personazheve nga nxënësit. Aty parashtrohen në një mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të konkretizuar me të dhëna nga teksti i analizuar, kërkesat që vërtetojnë shkallën e kuptueshmërisë dhe të aftësisë së nxënësve për të gjykuar ngjarjet dhe personazhet, si edhe për të bërë vlerësimin e tyre, sigurisht në nivelin e kërkesave të programit dhe të moshës së tyre.
Mësimet për leximin mbyllen me nënrubrikën IV. Thellohemi. Në këtë nënrubrikë ka kërkesa më të ngritura me karakter vëzhgues, analizues, zbatues dhe vlerësues, që lidhen ndër të tjera edhe me vetë strukturën e tekstit.
Rubrika e tretë, Shkruajmë, i kushtohet gjuhës së shkruar. Niveli i gjuhës së shkruar varet nga niveli i gjuhës së folur. Megjithatë, gjuha e shkruar paraqet disa vështirësi në krahasim me gjuhën e folur. Në këto rrethana, për ngritjen e nivelit të gjuhës së shkruar ne kemi parashikuar, në përputhje edhe me programin, një punë sistematike të studiuar, që fillon me rritjen e aftësive vëzhguese, analizuese e paraqitëse të dukurive me gojë dhe pastaj me shkrim. Për këtë qëllim nxënësve u kërkohet fillimisht të flasin rreth një problemi të caktuar që trajtohet edhe në tekstin e leximit. Pra, para se nxënësit të lexojnë për një problem të caktuar, nxiten të flasin rreth tij dhe pastaj u kërkohet të lexojnë tekstin i cili trajton problemin dhe shërben në të njëjtën kohë edhe si një model i një niveli gjuhësor të ngritur të trajtimit të temës përkatëse. Dhe pas këtyre kalohet në rubrikën Shkruajmë, që çon më tutje punën e nisur përmes rubrikave pararendëse. Pra, nxënësve u kërkohet të shkruajnë për një temë të caktuar pas një pune të gjerë përgatitore për këtë temë përmes dy rubrikave pararendëse, gjuhës së folur dhe leximit. Kjo garanton kalimin me sukses nga një nivel i caktuar i gjuhës së folur në një nivel relativisht më të ngritur të gjuhës së shkruar, që paraqitet, gjithsesi, më i vështirë për t’u arritur.
Për këtë arsye janë parashikuar kërkesa të veçanta sistematike, të cilat do të ndihmojnë zhvillimin e gjuhës së shkruar. U kërkohet, pra, nxënësve të paraqesin me shkrim aspekte të ndryshme të jetës së tyre të përditshme, të japin mendime, të bëjnë vlerësime situatash të thjeshta, të shkruajnë porosi, njoftime, kërkesa, lutje, këshilla, lajmërime, urime, letra e të tjera.
Kjo rubrikë do të ndihmojë që nxënësit të shkruajnë me një gjuhë relativisht të saktë dhe të qartë, që do të vijë duke u pasuruar shkallë-shkallë, derisa të arrijë në nivelin e një krijimin origjinal.
Kujdes duhet treguar gjithashtu për shkrimin, i cili duhet të jetë i saktë, i qartë dhe mundësisht edhe i bukur.
Rubrika e katërt, Njohim gjuhën, i kushtohet përvetësimit me rrugë praktike të njohurive dhe shprehive për sistemin gjuhësor dhe drejtshkrimin.
Në klasën e pestë, për shkak të veçorive të moshës, e tërë veprimtaria mësimore për formimin e njohurive e shprehive për sistemin gjuhësor do të mbështetetnë intuitën dhe në përvojën gjuhësore të fëmijëve. Në këtë klasë përmbajtja e njohurive për sistemin gjuhësor është kryesisht praktikë gjuhësore; nocionet gjuhësore nuk jepen teorikisht, por praktikisht. Kjo diktohet nga veçoritë e zhvillimit mendor e shpirtëror të fëmijëve të kësaj moshe.
Pra, secila prej rubrikave të mësimpërme të këtij teksti provon të realizojë synimet e kërkesat e programit në katër përbërësit e tij, të cilët janë kusht për formimin gjuhësor të fëmijëve. Teksti është i baraspeshuar nga kjo pikëpamje, pra, ka ekuilibrin e nevojshëm për të siguruar një formim të mjaftueshëm në fushën e të folurit dhe të të shprehurit me shkrim të fëmijëve, si edhe në fushën e leximit, e kuptimit të teksteve letrare dhe joletrare dhe të njohjes së disa veçorive të sistemit gjuhësor në përputhje me kërkesat e programit. Trajtimi jo i ekuilibruar, lënia jashtë vëmendjes ose trajtimi i pamjaftueshëm i njërit prej këtyre aspekteve në tekstet e gjuhës amtare, jo vetëm do të binte në kundërshtim me programin dhe standardet bashkëkohore, po edhe do të dëmtonte drejtpërsëdrejti formimin gjuhësor dhe kulturor të fëmijëve tanë.
Për këto arsye ne mendojmë se struktura e tekstit në rubrikat përkatëse i përgjigjet, më së miri, kërkesave të programit dhe të standardeve bashkëkohore për mësimin e gjuhës amtare.
Teksti i pranishëm, në tërësinë e tij, ofron mundesi jo vetëm për rritjen graduale të formimit gjuhësor e estetik të fëmijëve, po edhe të aftësive të tyre për të vëzhguar, analizuar, menduar e zbatuar.

 

 

Lejohet për botim me vendimin e Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë nr. 995/01-B të datës 06.06.2007
Tekst i rishikuar sipas vendimit të ministrit të MASHT nr. 201/01B

 

***

Shtëpia Botuese “Dukagjini”
Hajdar Dushi, nr. 27
Prishtinë, 10 000
Republika e Kosovës

 

www.dukagjinibotime.com
info@dukagjinipublishing.com

 

© Shtëpia botuese “Dukagjini”, 2020
Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Asnjë pjesë e këtij botimi nuk mund të riprodhohet, memorizohet apo të përcillet në ndonjë formë a me ndonjë mjet elektronik, mekanik, me anë të fotokopjes, në disk ose në mënyra të tjera, përfshirë dhe kinemanë, radion, televizionin, pa autorizimin me shkrim nga botuesi.
Botimi i katërmbëdhjetë, viti 2020
Tirazhi: 27.000
Shtypi: SH.P.K “DUKAGJINI” Pejë
Gjuha Shqipe 5 për klasën e pestë të shkollës fillore
Bahri Beci
bahri.beci@sfr.fr
Për botuesin: Agim Lluka
Redaktor teknik, disenji: Lavdim Beqiri
Recensentë: Shefkije Islamaj, Blerta Berisha, Ganimete Sopi, Shyhrete Alaj
Lektor: Sadri Fetiu
Të gjitha fotografitë dhe ilustrimet © Shtëpia Botuese “Dukagjini”.
Katalogimi në botim – (CIP)
Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës
811.18 (075.2)
Beci, Bahri

 

Gjuha Shqipe 5: flasim, lexojmë, shkruajmë, njohim gjuhën: për klasën e pestë / Bahri Beci.
Botimi 1, Pejë: Dukagjini, 2007. – 225f.: ilustr. Me ngjyra; 30 cm.
ISBN 978-9951-05-158-3

 

Lejohet për botim me vendimin e Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë nr. 995/01-B të datës 06.06.2007

 

 

Out of stock

Category:

Additional information

Autorët

Bahri Beci

Shtëpia botuese

Shtëpia Botuese DUKAGJINI

Kontakti

Shtëpia Botuese DUKAGJINI
info@dukagjinipublishing.com

Autorët
bahri.beci@sfr.fr

f
1942 Amsterdam Ave NY (212) 862-3680 chapterone@qodeinteractive.com

    Free shipping
    for orders over 50%