No products in the cart.

Shop

GJUHA SHQIPE 4
(LIBËR BAZË)

2.50

Në tekstin Gjuha Shqipe 4, në pajtim me kërkesat e programit, mësimi i gjuhës shqipe konceptohet si gërshetim i këtyre katër komponentëve kryesorë: të dëgjuarit, të folurit, të lexuarit dhe të shkruarit.
Teksti Gjuha Shqipe 4, ka 28 mësime ose seanca mësimore. Çdo mësim ose seancë mësimore ka katër rubrika: Flasim, Lexojmë, Shkruajmë dhe Njohim gjuhën.
Rubrika e parë Flasim synon t’i aftësojë nxënësit të flasin për aspekte të jetës së përditshme në pajtim me kërkesat e programit dhe të moshës së tyre. Për këtë qëllim ka kërkesa të posaçme e sistematike, që i nxitin dhe i ushtrojnë fëmijët të flasin në situate të ndryshme për vete, për familjen, për shokët, për ruajtjen e ambientit, të tregojnë, të përshkruajnë, të analizojnë e të vlerësojnë situata që lidhen me jetën e tyre të përditshme, të japin mendime e të mbajnë qëndrime në përputhje me to. Përmes kërkesave të kësaj rubrike nxënësit do të ushtrohen të marrin pjesë në bashkëbisedim, t’u përgjigjen pyetjeve, të japin informacione dhe të komunikojnë në pajtim me kërkesat e moshës së tyre.
Përmes kërkesave të kësaj rubrike nxënësit do të rritin shkallë-shkallë, gjithashtu, aftësitë për të paraqitur me gojë përvojat e tyre, si edhe botën e tyre të brendshme, për të arritur natyrshëm e në mënyrë të shkallëzuar të shprehen në gjini e lloje të ndryshe deri edhe në krijime vetjake. Detyra e mësuesit në mësimet për zhvillimin e gjuhës së folur është të krijojë, në përputhje me kërkesat e tekstit, situata të përshtatshme komunikative, të ndjekë bisedën e nxënësve dhe të ndihmojë, kur është e domosdoshme, për të saktësuar e qartësuar shprehje e koncepte të paqarta. Sa më shumë flet nxënësi, aq më shumë mëson të flaës, sa më pak flet mësuesi, aq më mirë është për nxënësin. Mësuesi, pra, i nxit nxënësit të flasin, por i mëson edhe si të dëgjojnë. Nxënësit, nën drejtimin e mësuesit, mësojnë të shprehin mendimet e tyre me një gjuhë të thjeshtë e të saktë, që vjen duke u pasuruar në përputhje me zhvillimin e tyre psikik e mendor.
Rëndësi të veçantë fiton puna me ata nxënës që ndodhen në mjedise familjare e shoqërore ku praktikohet një gjuhë e folur, që nuk përputhet me normën e shqipes standarde.
Vlerë të veçantë ka këtu fjala e mësuesit, e cila duhet të jetë e qartë, e saktë dhe në përputhje e normën. Vëmendje duhet t’i kushtohet, gjithashtu, punës për pasurimin e fjalorit të nxënësve, sidomos me fjalë të fondit të përgjithshëm ose të përbashkët, pra, me fjalë të jetës së përditshme.
Rubrika e dytë Lexojmë ka katër nënrubrika: I. Lexojmë, II. Kuptojmë, III. Analizojmë dhe IV. Thellohemi.
Nënrubrika I. Lexojmë synon t’i aftësojë nxënësit të lexojnë tekste letrare dhe joletrare në pajtim me kërkesat e programit. Për këtë qëllim mësuesi duhet të parashikojë kërkesa sistematike që i nxitin dhe i ushtrojnë nxënësit të lexojnë bukur dhe me intonacionin e duhur tekstet e zgjedhura letrare ose joletrare.
Tekstet e zgjedhura janë në pajtim me normën letrare, si edhe kërkesat estetike e stilistike të gjinisë letrare të cilës i përkasin. Ato në të njëjtën kohë janë edhe modele të zgjedhura të gjuhës së letrare.
Përmes kërkesave të kësaj nënrubrike nxënësit do të ushtrohen t’i lexojnë si duhet tekstet letrare e joletrare të tipave të ndryshme, dhe të parapërgatiten për t’i analizuar ato.
Detyra e mësuesit, në vijim të kësaj etape, është t’i orientojë nxënësit drejt problemeve konkrete që lidhen me kuptimin e përmbajtjes së tekstit që është edhe objektivi kryesor i nënrubrikës së dytë II.
Kuptojmë.
Kjo nënrubrikë është me rëndësi, sepse u jep nxënësve të ndalen dhe të analizojnë me vëmendje përmbajtjen e tekstit, të dallojnë ngjarjet kryesore nga ato të dorës së dytë, të veçojnë disa detaje që kanë rëndësi për të fiksuar përmbajtjen e tekstit, po edhe për të vijuar e shkuar më tutje në analizën e tekstit.
Nënrubrika Kuptojmë plotësohet e konkretizohet nga nënrubrika III.
Analizojmë. Përmes kërkesave të kësaj nënrubrike synohet që nxënësit të thellohen në kuptimin e tekstit të lexuar, si edhe të shkojnë më tutje në analizën e tij. Për këtë ka kërkesa që lidhen me përcaktimin e personazheve, me vlerësimin e tyre dhe të veprimtarive të tyre, kërkesa këto që lidhen me probleme të raporteve të tyre, si edhe me kohën dhe vendin e kryerjes së veprimeve të parashtruara. Ka gjithashtu kërkesa që lidhen me qëndrimin, gjykimin a vlerësimin e ngjarjeve dhe të personazheve nga nxënësit. Aty në një mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të konkretizuar me të dhëna nga teksti i analizuar, parashtrohen kërkesa që vërtetojnë shkallën e kuptueshmërisë dhe të aftësisë së nxënësve për të gjykuar ngjarjet dhe personazhet, si edhe për të bërë vlerësimin e tyre, sigurisht në nivelin e kërkesave të programit dhe të moshës së tyre. Mësimet për leximin mbyllen me rubrikën IV.
Thellohemi. Në këtë nënrubrikë ka kërkesa më të ngritura me karakter vëzhgues, analizues, zbatues dhe vlerësues, që lidhen ndër të tjera, edhe me vetë strukturën e tekstit.
Rubrika e tretë Shkruajmë i kushtohet gjuhës së shkruar. Niveli i gjuhës së shkruar varet nga niveli i gjuhës së folur. Megjithatë, gjuha e shkruar paraqet disa vështirësi në krahasim me gjuhën e folur. Në këto rrethana për ngritjen e nivelit të gjuhës së shkruar ne kemi parashikuar, në përputhje edhe me programin, një punë sistematike të studiuar që fillon me rritjen e aftësive vëzhguese, analizuese e paraqitëse të dukurive me gojë dhe pastaj me shkrim. Për këtë qëllim fillimisht nga nxënësit kërkohet të flasin rreth një problemi të caktuar që trajtohet edhe në tekstin e leximit. Pra, para se të lexojnë për një problem të caktuar, nxënësit nxiten të flasin rreth tij dhe pastaj kërkohet nga ata të lexojnë tekstin i cili trajton problemin dhe në të njëjtën kohë shërben edhe si model i një nivelit gjuhësor të ngritur të trajtimit të temës përkatëse. Dhe pas këtyre trajtohet në rubrika Shkruajmë që çon më tutje punën e nisur përmes rubrikave pararendëse, pra, mbasi kanë folur, kanë lexuar, kërkohet nga ata të shkruajnë, pra, nxënësit nxiten të shkruajnë për një temë të caktuar pas një pune të gjerë përgatitore për këtë tematikë përmes gjuhës së folur dhe leximit. Kjo garanton kalimin me sukses nga një nivel i caktuar i gjuhës së folur në një nivel relativisht më të ngritur të gjuhës së shkruar, që, kuptohet, paraqitet më i vështirë për t’u arritur.
Për këtë arsye janë parashikuar kërkesa të veçanta sistematike të cilat do të ndihmojnë zhvillimin e gjuhës së shkruar. Kërkohet, pra, nga nxënësit të paraqesin me shkrim aspekte të ndryshme të jetës së tyre të përditshme, të japin mendime, të bëjnë vlerësime situatash të thjeshta, të shkruajnë porosi, njoftime kërkesa, lutje, këshilla, lajmërime, urime, letra e të tjera.
Kjo rubrikë do të ndihmojë që nxënësit të shkruajnë me një gjuhë relativisht të saktë dhe të qartë, që do të vijë duke u pasuruar shkallë shkallë, derisa të arrijë në nivelin e një krijimi origjinal.
Kujdes duhet treguar gjithashtu për shkrimin, i cili duhet të jet i saktë, i qartë dhe i bukur.
Rubrika e katërt, Njohim gjuhën, i kushtohet përvetësimit me rrugë praktike të njohurive dhe të shprehive për sistemin gjuhësor dhe drejtshkrimin.
Në klasën e katërt, për shkak të veçorive të moshës, e tërë veprimtaria mësimore për formimin e njohurive e shprehive për sistemin gjuhësor do të mbështetet në intuitën dhe në përvojën gjuhësore të fëmijëve. Në këtë klasë përmbajtja e njohurive për sistemin gjuhësor është, kryesisht, praktikë gjuhësore; nocionet gjuhësore nuk jepen teorikisht, por praktikisht, po kështu edhe njohuritë për drejtshkrimin. Kjo diktohet nga veçoritë e zhvillimit mendor e piskik të fëmijëve të kësaj moshe.
Pra, secila prej rubrikave të mësimpërme të këtij teksti synon të realizojë kërkesat e programit në katër komponentët e tij, të cilat janë kusht për formimin gjuhësor të fëmijëve.
Teksti është i baraspeshuar nga kjo pikëpamje, pra, ka ekuilibrin e nevojshëm për të siguruar një formim të mirë në fushën e komunikimit me gojë dhe me shkrim të fëmijëve, si edhe në fushën e leximit e të kuptimit të teksteve letrare dhe joletrare dhe të njohjes së disa veçorive gjuhësore në përputhje me kërkesat e programit. Trajtim jo i ekuilibruar, lënia jashtë vëmendjes ose trajtimi i pamjaftueshëm i njërit prej këtyre aspekteve në tekstet e gjuhës amtare, do të binte në kundërshtim me programin dhe standardet bashkëkohore dhe do të dëmtonte drejtpërsëdrejti formimin gjuhësor dhe kulturor të fëmijëve tanë.
Për këto arsye ne mendojmë se struktura e tekstit në rubrikat përkatëse iu përgjigjet, më së miri, kërkesave të programit dhe të standardeve bashkëkohore për mësimin e gjuhës amtare.
Teksti, në bërësinë e tij, ofron mundësi jo vetëm për rritjen graduale të formimit gjuhësor e estetik të fëmijëve, po edhe të aftësive të tyre për të vëzhguar, analizuar, menduar e zbatuar.

 

 

Lejohet për botim me vendimin e Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë nr. 2868/02-1 të datës 07.09.2006
Tekst i rishikuar sipas vendimit të ministrit të MASHT nr. 201/01B

 

***

Shtëpia Botuese “Dukagjini”
Hajdar Dushi, nr. 27
Prishtinë, 10 000
Republika e Kosovës

 

www.dukagjinibotime.com
info@dukagjinipublishing.com

 

© Shtëpia botuese “Dukagjini”, 2020
Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Asnjë pjesë e këtij botimi nuk mund të riprodhohet, memorizohet apo të përcillet në ndonjë formë a me ndonjë mjet elektronik, mekanik, me anë të fotokopjes, në disk ose në mënyra të tjera, përfshirë dhe kinemanë, radion, televizionin, pa autorizimin me shkrim nga botuesi.
Botimi i trembëdhjetë, viti 2020
Tirazhi: 27.000
Shtypi: SH.P.K “DUKAGJINI” Pejë
Gjuha Shqipe 4 për klasën e katërt të shkollës fillore
Bahri Beci
bahri.beci@sfr.fr
Për botuesin: Agim Lluka
Redaktor teknik: Lavdim Beqiri
Recensentë: Dr. Shefkije Islamaj. Dr. Kujtim Rrahmani
Lektor: Sylë Osmanaj
Të gjitha fotografitë dhe ilustrimet © Shtëpia Botuese “Dukagjini”.
Katalogimi në botim – (CIP)
Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës
372.41.18(075.2)
Beci, Bahri
Gjuha Shqipe 4: për klasën e katërt / Bahri Beci.
Botim i parë, Pejë: Dukagjini, 2006. – 186f.: ilustr. Me ngjyra; 28 cm.
Në vend të parathënies: f. 6-9
ISBN 978-9951-05-144-8

 

Lejohet për botim me vendimin e Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë nr. 2868/02-1 të datës 07.09.2006

Out of stock

Category:

Additional information

Autorët

Bahri Beci

Shtëpia botuese

Shtëpia Botuese DUKAGJINI

Kontakti

Shtëpia Botuese DUKAGJINI
info@dukagjinipublishing.com

Autorët
bahri.beci@sfr.fr

f
1942 Amsterdam Ave NY (212) 862-3680 chapterone@qodeinteractive.com

    Free shipping
    for orders over 50%