No products in the cart.

Shop

GJUHA SHQIPE 3
(LIBËR BAZË)

2.50

Teksti i pranishëm merr parasysh kërkesat e programit mësimor për klasën e tretë të arsimit fillor, i cili mësimin e gjuhës amtare e koncepton si gërshetim të katër komponentëve: të dëgjuarit, të folurit, të lexuarit dhe të shkruarit.
Të dëgjuarit është veprimtaria e parë dhe më e gjerë në procesin e komunikimit te fëmija. Fëmijët e mësojnë gjuhën amtare me anën e të dëgjuarit. Në ciklin e parë të arsimit fillor, të dëgjuarit është një nga burimet më të rëndësishme për fitimin e njohurive nga ana e nxënësve të kësaj moshe, sepse ata nuk e kanë aftësinë ende për të lexuar. Fjalori pasiv i nxënësve është shumë më i madh nga fjalori i tyre aktiv gjë që bën të mundur që ata të kuptojnë shumë më tepër nga sa janë në gjendje të flasin a të shprehen me gojë.
Të folurit është një nga veprimtaritë e shumta, të cilën njerëzit e përdorin për të ndikuar mbi qeniet e tjera. Edhe pse te njeriu ekziston baza biologjike për zhvillimin e të folurit, ajo mbetet një nga veprimtaritë më të vështira, për të cilën nevojitet një rrugë e gjatë.
Ekzistojnë dy funksione bazë të të folurit: funksioni individual dhe funksioni shoqëror i tij (vendosja e komunikimit me mjedisin përreth).
Zhvillimi i të folurit do të jetë më i shpejtë, nëse tregojmë kujdes më të madh për zhvillimin e tij te fëmija.
Me fjalë të tjera, nga nxitja që i japim në periudhën kur të folurit zhvillohet, varet edhe shpejtësia dhe cilësia e këtij zhvillimi. Në këtë periudhë, fëmijëve duhet t’u ofrojmë mundësinë, që edhe ata të flasin sa më shumë. Nëse i dëgjoni me vëmendje dhe vlerësoni atë që ata thonë, ju do të zhvilloni tek ata nevojën dhe aftësinë për të folur.
Të lexuarit ka si qëllim përfundimtar kuptimin e asaj që lexohet, gjë që do të thotë, nga njëra anë, të marrësh informacion dhe, nga ana tjetër, të ndjesh kënaqësi për atë që lexon.
Të shkruarit si veprimtari përfshin: planifikimin, krijimin e tekstit, kontrollimin kritik dhe ndreqjen e asaj që është shkruar. Të shkruarit si veprimtari motorike dhe të shkruarit si veprimtari krijuese, janë dy procese që ndërthuren dhe kushtëzojnë njëri-tjetrin. Procesi i të shkruarit parakupton: përgatitjen, motivimin, shkrimin, ndreqjen dhe vlerësimin.
Vetë shkrimi presupozon: përgatitjen për shkrim, shkrimin e modelit të parë, kontrollin dhe ndreqjen e modelit të parë, rregullin në punën e shkruar.
Pra, në pajtim me kërkesat e programit dhe për arsyet që shpjeguam, teksti i klasës së tretë do të ketë katër rubrika themelore: të flasim, të lexojmë, të njohim gjuhën dhe të shkruajmë. Secila prej tyre synon të realizojë kërkesat e programit në katër komponentët e tij, të cilat, me të drejtë dhe në përputhje edhe me standardet ndërkombëtare për mësimin e gjuhëve amtare, janë kusht për formimin gjuhësor të fëmijëve. Teksti është i baraspeshuar nga kjo pikëpamje, pra, ka ekuilibrin e nevojshëm për të siguruar një formim të mirë në fushën e komunikimit me gojë dhe me shkrim të fëmijëve, si edhe në fushën e leximit e të kuptimit të teksteve letrare dhe të njohjes së disa veçorive gjuhësore në përputhje me kërkesa e programit të ri. Programi i ri në përputhje edhe me standardet bashkëkohore për gjuhët amtare, formimin gjuhësor e koncepton, në radhë të parë, si rritje të aftësive komunikuese me gojë dhe me shkrim të fëmijëve, si edhe të aftësive për të kuptuar tekste letrare dhe joletrare, po pa harruar që fëmijët gradualisht dhe në përputhje me moshën e tyre, duhet të ndërgjegjësohen edhe për disa nga veçoritë e gjuhës shqipe.
Lënia jashtë vëmendjes, trajtimi jo i ekuilibruar i tyre ose trajtimi i pamjaftueshëm i njërit prej këtyre aspekteve në tekstet e gjuhës amtare do të binte në kundërshtim me programin dhe standardet bashkëkohore dhe do të dëmtonte drejtpërsëdrejti formimin gjuhësor dhe kulturor të fëmijëve tanë.
Për këto arsye ne mendojmë se struktura e tekstit në katër rubrika iu përgjigjet më së miri kërkesave të programit dhe të standardeve bashkëkohore për mësimin e gjuhës amtare.
Rubrika të flasim synon t’i aftësojë nxënësit të flasin për aspekte të jetës së përditshme në pajtim me kërkesat e programit dhe të moshës së tyre. Për këtë qëllim ka kërkesa të posaçme e sistematike që i nxitin dhe i ushtrojnë fëmijët të flasin në situata të ndryshme për aspekte të jetës së tyre të përditshme.
Përmes kërkesave të kësaj rubrike nxënësit do të ushtrohen të komunikojnë në situata të ndryshme dhe do të rritin shkallë-shkallë edhe aftësitë e tyre për të paraqitur me gojë përvoja vetjake si edhe botën e tyre të brendshme, për të arritur kështu natyrshëm e në mënyrë të shkallëzuar më vonë në krijime artistike. Detyra e mësuesit në mësimet për zhvillimin e gjuhës së folur është të krijojë, në përputhje me kërkesat e programit dhe të teksteve , situata të përshtatshme komunikuese, të ndjekë bisedën e nxënësve dhe të ndihmojë, kur është e domosdoshme, për të saktësuar e qartësuar shprehje e koncepte të paqarta. Sa më shumë flet nxënësi, aq më shumë mëson të flaës, sa më pak flet mësuesi, aq më mirë është për nxënësin. Mësuesi, pra, i nxit nxënësit të flasin, por i mëson edhe të dëgjojnë. Nxënësit, nën drejtimin e mësuesit, mësojnë të shprehin mendimet e tyre me një gjuhë të thjeshtë e të saktë, që vjen duke u pasuruar e ndërlikuar në përputhje me zhvillimin e tyre psikik e mendor.
Rëndësi të veçantë fiton puna me ata nxënës që ndodhen në mjedise familjare e shoqërore, ku praktikohet një gjuhë e folur që nuk përputhet me normën e gjuhës letrare. Vlerë të veçantë ka këtu fjala e mësuesit, e cila duhet të jetë e qartë, e saktë dhe në përputhje me normën e gjuhës letrare. Vëmendje duhet t’i kushtohet gjithashtu punës për pasurimin e fjalorit të nxënësve, sidomos me fjalë të fondit të përgjithshëm ose të përbashkët, pra, me fjalë të jetës së përditshme.
Leximit i kushtohet një rubrikë e posaçme. Në këtë rubrikë vëmendja duhet të përqëndrohet në rritjen e aftësive dhe të shprehive për një lexim sa më të rrjedhshëm dhe për kuptimin dhe analizën e përmbajtjes së teksteve. Pasurimi i fjalorit aktiv e pasiv të nxënësve mbetet, pa dyshim, një synim themelor i kësaj rubrike. Përmes kësaj rubrike nxënësit do të aftësohen të lëxojnë me intonacionin e duhur tekste letrare dhe joletrare si edhe t’i kuptojnë e analizojnë në pajtim me objektivat e programit të ri mësimor për klasën e katërt.
Një linjë më vete përbëjnë edhe njohuritë dhe shprehitë për sistemin gjuhësor dhe drejtshkrimin.
Në klasën e tretë, për shkak të veçorive të moshës, e tërë veprimtaria mësimore për formimin e njohurive e të shprehive për sistemin gjuhësor do të mbështetet në intuitën dhe në përvojën gjuhësore të fëmijëve. Në këtë klasë përmbajtja e njohurive për sistemin gjuhësor është kryesisht praktikë gjuhësore; nocionet gjuhësore nuk jepen teorikisht por praktikisht, po kështu edhe njohuritë për drejtshkrimin. Kjo diktohet nga pikësynimet e përgjithshme të programit, po edhe nga veçoritë e zhvillimit mendor e psikik të fëmijëve të kësaj moshe.
Një rubrikë më vete i kushtohet gjuhës së shkruar. Për këtë janë parashikuar kërkesa të veçanta sistematike, të cilat do të ndihmojnë zhvillimin e gjuhës së shkruar.
Niveli i gjuhës së shkruar varet në njëfarë shkalle nga niveli i gjuhës së folur. Megjithatë, gjuha e shkruar paraqet disa vështirësi në krahasim me gjuhën e folur. Në këto rrethana, për ngritjen e nivelit të gjuhës së shkruar është e domosdoshme të bëhet një punë e veçantë dhe e studiuar që fillon me rritjen e aftësive vëzhguese, analizuesee paraqitëse të dukurive më gojë dhe pastaj me shkrim. Për këtë qëllim fillimisht kërkohet nga nxënësit të flasin rreth një problem të caktuar që trajtohet edhe në tekstin e leximit. Pra, para se nxënësit të lexojnë për problemin nxiten të flasin rreth tij dhe pastaj u kërkohet të lexojnë tekstin, i cili trajton problemin dhe në të njëjtën kohë shërben edhe si një model i nivelit gjuhësor më të ngritur të trajtimit të temës përkatëse. Leximi pasohet nga problemi gjuhësor që do të trajtohet, i cili gjithashtu mbështetet në analizën gjuhësore të tekstit të lexuar. Dhe pas këtyre kalohet në rubrikën të shkruajmë që çon më tutje punën e nisur përmes rubrikave pararendëse, pra, mbasi kanë folur, kanë lexuar, kanë analizuar gjuhën e tekstit për një problematikë të caktuar u kërkohet të shkruajnë, pra nxënësit nxiten të shkruajnë për një temë të caktuar pas një pune të gjerë përgatitore për këtë tematikë përmes gjuhës së folur, leximit dhe analizës gjuhësore. Kjo garanton kalimin me sukses nga një nivel i caktuar i gjuhës së folur, në nivelin e gjuhës së shkruar, që gjithsesi paraqitet më i vështirë për t’u arritur.
Kjo do të bëjë që nxënësit të shkruajnë me një gjuhë të saktë, të qartë, që do të vijë duke u pasuruar shkallë-shkallë, derisa të arrijë në nivelin e një krijimi original.
Kujdes duhet treguar gjithashtu për shkrimin, i cili duhet të jetë i saktë i qartë dhe i bukur.
Siç u tha, në përputhje edhe me kërkesat e programit mësimor, tërë procesi i mësimit të gjuhës amtare do t’i shërbejë rritjes së aftësisë komunikuese me gojë dhe me shkrim të brezit tonë të ri në përputhje me normën e gjuhës së sotme letrare si edhe të formimit estetik e kulturor të tyrë në përputhje me moshën.
Teksti, në tërësinë e tij, ofron mundësi për rritjen graduale të formimit gjuhësor e estetik të fëmijëve, si edhe të aftësive të tyre për të vëzhguar, analizuar, menduar e zbatuar.

 

 

Lejohet për botim me vendimin e Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë nr. 2869/02 të datës 07.09.2006
Tekst i rishikuar sipas vendimit të ministrit të MASHT nr. 201/01B

 

***

Shtëpia Botuese “Dukagjini”
Hajdar Dushi, nr. 27
Prishtinë, 10 000
Republika e Kosovës

 

www.dukagjinibotime.com
info@dukagjinipublishing.com

 

© Shtëpia botuese “Dukagjini”, 2020
Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Asnjë pjesë e këtij botimi nuk mund të riprodhohet, memorizohet apo të përcillet në ndonjë formë a me ndonjë mjet elektronik, mekanik, me anë të fotokopjes, në disk ose në mënyra të tjera, përfshirë dhe kinemanë, radion, televizionin, pa autorizimin me shkrim nga botuesi.

 

Botimi i trembëdhjetë, viti 2020
Tirazhi: 25.000
Shtypi: SH.P.K “DUKAGJINI” Pejë
Gjuha Shqipe 3 për klasën e tretë të shkollës fillore
Bahri Beci
bahri.beci@sfr.fr
Për botuesin: Agim Lluka
Redaktor teknik, disenji: Lavdim Beqiri
Recensentë: Ymri Badallaj, Rifat Ismajli, Salajdin Mehmeti, Myrvete Kelmendi, Liman Shabani
Lektor: Sylë Osmanaj
Të gjitha fotografitë dhe ilustrimet © Shtëpia Botuese “Dukagjini”.
Katalogimi në botim – (CIP)
Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës
811.18(075.2)
Beci, Bahri
Gjuha Shqipe 3: flasim, lexojmë, njohim, gjuhën, shkruajmë: për klasën e tretë / Bahri Beci.
Pejë: Dukagjini, 2007. – 172f.: ilustr. Me ngjyra; 29 cm.
Në vend të parathënies: f. 6-9

 

ISBN 978-9951-05-147-7
Lejohet për botim me vendimin e Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë nr. 2869/02 të datës 07.09.2006

Out of stock

Category:

Additional information

Autorët

Bahri Beci

Shtëpia botuese

Shtëpia Botuese DUKAGJINI

Kontakti

Shtëpia Botuese DUKAGJINI
info@dukagjinipublishing.com

Autorët
bahri.beci@sfr.fr

f
1942 Amsterdam Ave NY (212) 862-3680 chapterone@qodeinteractive.com

    Free shipping
    for orders over 50%